Një oficer policie i qytetit të Nju Jorkut është mes katër personave të vrarë në një incident me armë zjarri brenda një pallati shumëkatësh në Midtown Manhattan.
Policia bëri të ditur se personi i armatosur kishte hyrë në ndërtesën e zyrave të hënën në mbrëmje me një pushkë MR në dukje të qartë, përpara se të hapte zjarr në hollin dhe një nga katet e sipërme.
Sipas autoriteteve, i dyshuari, Shane Devon Tamura, 27 vjeç, vrau veten ndërsa thuhet se ai kishte udhëtuar nga Las Vegasi drejt Nju Jorkut, por motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Të shtënat në zemër të qytetit më të populluar të SHBA-së shkaktuan panik, duke bërë që kalimtarët të vraponin për t’u fshehur, ndërsa policia lëshoi paralajmërim për një person të armatosur aktiv rreth orës 18:30 me orën lokale (ET).
Mes viktimave ishte edhe oficeri i Policisë së Nju Jorkut, Didarul Islam, i cili në momentin e ngjarjes po punonte si roje sigurie në ndërtesë. Tre viktimat e tjera nuk janë identifikuar ende.
Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, deklaroi se i dyshuari kishte hyrë në ndërtesën në adresën 345 Park Avenue, ku ndodhen biznese si Liga Kombëtare e Futbollit (NFL) dhe kompania e menaxhimit të investimeve Blackstone, dhe kishte hapur menjëherë zjarr.
Sipas saj, Tamura qëlloi për vdekje z. Islam në hollin e ndërtesës, më pas shënjestroi një grua që ishte fshehur pas një shtylle. Ai vijoi të qëllonte nëpër holl, duke plagosur disa persona – përfshirë një roje tjetër sigurie që fshihej pas një tavoline dhe një burrë pranë tij. Ndërkohë që priste ashensorin, një grua zbriti në kat, por ai nuk e sulmoi dhe e lejoi të largohej, theksoi komisionerja Tisch.
Më pas, ai u ngjit në katin e 33-të – ku ndodhet zyra e Ruden Building Management – dhe hapi sërish zjarr, duke vrarë një person tjetër. Në fund, ai eci përgjatë një korridori dhe qëlloi veten në gjoks.
Persona brenda ndërtesës dëshmuan për tronditje dhe frikë, ndërsa jehona e të shtënave përhapej në ambiente. Disa u përpoqën të fortifikonin zyrat, duke grumbulluar divane dhe karrige pranë dyerve.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një arsye zyrtare për sulmin, megjithatë Tisch bëri me dije se i dyshuari kishte “një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor”.
Sipas hetimeve, Tamura kishte udhëtuar gjatë ditëve të fundit nga Las Vegasi, duke kaluar nëpër Kolorado, Nebraska, Iowa dhe Nju Xhersi, përpara se të mbërrinte në Nju Jork, pak përpara incidentit. Nuk dihet nëse ai kishte ndonjë lidhje me qytetin, ndërtesën apo kompaninë Ruden Building Management.
Gjatë kontrollit të mjetit BMW të parkuar nga i dyshuari pranë ndërtesës, policia gjeti disa karikatorë municionesh dhe një revolver. Automjeti ishte i regjistruar në Nevada në emrin e Tamurës, i cili ishte gjithashtu pronar i ligjshëm i armës në atë shtet.
Zyrtarët dhe autoritetet lokale nderuan oficerin Islam të hënën në mbrëmje. “Ai vdiq ashtu siç jetoi – një hero”, tha komisionerja Tisch.
Islam kishte tre vite që shërbente në departament dhe ishte emigrant nga Bangladeshi. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë dy fëmijë dhe ajo aktualisht është shtatzënë me fëmijën e tyre të tretë.
“Ai po bënte punën që i kërkuam të bënte,” deklaroi Tisch. “Ai bëri sakrificën më të madhe.”