Manaj tregon sakrificat pas largimit nga Turqia: Kam duruar shumë gjëra, askush nuk mund ta njollosë atë që…

Rei Manaj u zyrtarizua te Sharjah FC. Futbollisti i Kombëtares do e vazhdojë kështu karrierën te Emiratet e Bashkuara Arabe.

Manaj është largua me pengje nga Sivaspori, ndërsa këtë e ka shprehur edhe me deklaratën e fundit. Sulmuesi shqiptar i adresohet pikërisht tifozëve turq.

“Të dashur tifozë të Sivasporit, tani ju jeni më shumë se thjesht tifozë, jeni familja ime, dhe gjithmonë do të jeni. Kemi ndarë momente vërtet të veçanta, që askush nuk mund t’i marrë prej nesh, askush nuk mund të njollosë atë që kemi arritur bashkë.

Gjithmonë kam preferuar të mos flas shumë, edhe në momentet më të vështira, për ju dhe për dashurinë tuaj pa kushte.

Kam duruar shumë gjëra që nuk janë bërë siç duhet ndaj meje, por ky nuk është momenti për t’i përmendur. Vetëm ta dini se kam qenë besnik ndaj jush nga dita e parë deri në ditën e fundit, dhe gjithmonë do të jem.

34 gola dhe 11 asistime në dy sezone, kemi festuar së bashku, t’ju shoh të lumtur është gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Faleminderit për gjithçka, nuk do t’ju harroj kurrë, ju dhe familjen time”, shkruan Manaj./PANORAMASPORT.AL