Ndjekje si nëpër filma, arrestohet i shumëkërkuari në autostradën Tiranë-Elbasan

Policia ka arrestuar shtetasin Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç, një person i konsideruar nga agjencitë ligjzbatuese me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Koçiaj rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me 18 vite burgim nga drejtësia italiane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.

Koçiaj u kap në flagrancë nga forcat e rendit teksa tentonte të largohej me një automjet Audi Q5, në aksin Tiranë-Elbasan. Pas një ndjekje të gjatë i rrethuar nga motorët e policisë, 59-vjeçari u arrestua nga policia. Automjeti i ti u sekuestrua gjithashtu nga Policia.

Operacioni policor, i koduar “Hierarkia”, u finalizua nga shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

59-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, që njeh vendimin e Gjykatës së Firences për dënimin e tij.

Pas ndalimit, ai iu dorëzua strukturave të Policisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme procedurale.