Policia e Shtetit ka sqaruar konflikitin e ndodhur para një viti mes një qytetari dhe kryekomisarit Klodian Kondi brenda ambienteve të komisariatit.
Mësohet se Kryekomisari ka kallëzuar sherrin e ndodhur pasi qytetari me iniciale A.E.M., ka tentuar të dhunojë Kondin, dhe materialet i kanë kaluar AMP-së.
Reagim i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me deklarimet publike të shtetasit A. (E.) M., të bëra në një intervistë mediatike, Policia e Shtetit ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat konkrete të ngjarjes së përmendur prej tij, duke u mbështetur vetëm në dokumentimin ligjor dhe provat e administruara nga organet kompetente.
Më datë 17.01.2024, rreth orës 14:45, gjatë një kontrolli në terren në qytetin e Rrëshenit, Shefi i Komisariatit të Policisë Mirditë në atë kohë, Kryekomisar Klodian Kondi, në bashkëpunim me Shefin e Rendit dhe Specialistin për Krimet, ndaluan për verifikim një automjet që drejtohej nga shtetasi A.(E) M. Punonjësit e Policisë u prezantuan dhe i kërkuan drejtuesit të mjetit të paraqiste dokumentin e identifikimit.
Shtetasi në fjalë refuzoi kategorikisht të zbatonte kërkesën ligjore, duke mbajtur një qëndrim sfidues dhe provokues, të shoqëruar me sjellje verbale agresive. Për shkak të kësaj sjelljeje, u mor masa e shoqërimit të tij në ambientet e Komisariatit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat standarde. Në ambientet e brendshme të Komisariatit, shtetasi A. (E) M. reagoi me dhunë fizike, fillimisht duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë, e më pas duke tentuar të godasë me grusht Shefin e Komisariatit, Kryekomisar Klodian Kondi, si dhe duke e goditur atë me shkelm në pjesën e gjymtyrëve, në prani të disa punonjësve të tjerë.
Gjatë përpjekjeve për ta neutralizuar, shtetasi A.(E) M. kreu edhe veprime të dhunshme ndaj vetes, duke goditur me kokë murin dhe tavolinën në zyrën e Oficerit të Rojës, në prani të punonjësve të tjerë të Policisë. Këto veprime janë dokumentuar dhe përfshirë në dosjen hetimore. Menjëherë pas ngjarjes, Kryekomisar Klodian Kondi depozitoi kallëzim penal për goditjen për shkak të detyrës dhe kanosjen ndaj tij. Deklarime të njëjta janë dhënë edhe nga punonjësit e tjerë të pranishëm, ndaj të cilëve shtetasi A. (E) M. ka ushtruar dhunë fizike dhe verbale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. (E) M. u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Pamjet filmike të momentit të shoqërimit dhe qëndrimit në ambientet e Komisariatit janë vënë në dispozicion edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në shqyrtim edhe kallëzimin e mëvonshëm të bërë nga vetë shtetasi A.(E) M.
Aktualisht, çështja ndaj shtetasit A.(E) M. është në proces gjykimi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Kryekomisar Klodian Kondi është thirrur për të dëshmuar në cilësinë e të dëmtuarit, së bashku me punonjësit e tjerë të Policisë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë ligjin me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke mbrojtur të drejtat e çdo qytetari, por njëkohësisht edhe dinjitetin, sigurinë dhe integritetin e punonjësve të saj, të cilët ushtrojnë detyrën në situata shpesh të vështira dhe përballë reagimeve të dhunshme.