Shiu ndihmon në fikjen e zjarreve në këto zona

Reshjet e shiut që nisën gjatë natës kanë sjellë një lehtësim të ndjeshëm në përballimin e situatës së zjarreve në vend. Autoritetet raportojnë se vatrat kryesore të zjarrit, të përqendruara në qarqet e Korçës dhe Vlorës, janë shuar plotësisht.

Ndër zonat ku ndërhyrja e natyrës ka ndikuar më shumë, përmendet Parku Kombëtar i Prespës në bashkinë Pustec, ku flakët janë neutralizuar pas ditësh të tëra përpjekjesh nga zjarrfikësit dhe forcat e emergjencës civile.

Megjithëse zjarret janë vënë nën kontroll, strukturat operacionale vijojnë të monitorojnë nga afër zonat e djegura, për të parandaluar çdo riaktivizim, veçanërisht në terrenet e vështira malore.

Prej më shumë se një jave, Shqipëria është përballur me një valë zjarresh, kryesisht në jug të vendit. Situata më kritike u regjistrua në fshatin Kalasë të Delvinës, ku më 27 korrik autoritetet u detyruan të evakuonin banorët për shkak të përhapjes së flakëve pranë banesave.

Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim të qytetarëve për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, ndërsa kushtet klimatike mbeten ende të paqëndrueshme.