Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Hierarkia”, duke vënë në pranga një nga personat më të rrezikshëm të botës së krimit. Bëhet fjalë për 59-vjeçarin Ilir Kociaj (Koçiaj), kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge dhe i dënuar me 18 vite burg nga drejtësia italiane.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me efektivët e “Shqiponjave”. Kociaj u ndalua në autostradën “Tiranë–Elbasan”, teksa po tentonte t’i shmangej arrestimit me një automjet luksoz tip “Audi Q5”, që tashmë është sekuestruar nga autoritetet.
Burime zyrtare bëjnë me dije se arrestimi i tij është bërë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila njohu vendimin e Gjykatës së Firences në Itali, ku 59-vjeçari ishte dënuar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pas kapjes, Kociaj është dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet shqiptare theksojnë se operacione të tilla janë pjesë e ofensivës së përshkallëzuar kundër krimit të organizuar dhe ndjekjes pa kompromis të personave me rrezikshmëri të lartë.