Tragjedi në det/ Mbytet trageti me mbi 100 persona, 13 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra rezultojnë ende të zhdukur pas përmbysjes së një trageti me rreth 100 pasagjerë në shtetin Niger, në pjesën veri-qendrore të Nigerisë. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, ndërsa shumica e pasagjerëve ishin nisur drejt një tregu lokal.

Sipas autoriteteve, 26 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, janë shpëtuar. Ndër të mbijetuarit është edhe kapiteni i tragetit, i cili nuk ishte në gjendje të konfirmonte numrin e saktë të pasagjerëve.

Zyrtarët dyshojnë se mbingarkesa ishte shkaku kryesor i aksidentit, pasi trageti ishte prej druri dhe nuk ishte i pajisur për një ngarkesë kaq të madhe. Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, kërkimet për të zhdukurit vijojnë.