Vrasjet në Fier dhe Pogradec/ Karamuço: Detajet flasin për marrëdhënie të komplikuara, që nuk e justifikojnë vrasjen

Krimi në Pogradec tronditi jo pak vendin. 31-vjeçari Ilirjan Selmani vrau partneren e tij 52-vjeçaren Kozeta Teço dhe më pas i vuri zjarrin banesën. Fillimisht u mendua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia, por pas hetimeve të hollësishme u zbuluan edhe detaje të reja, që hollën dritë dhe i dhanë një tjetër kthesë ngjarjes, me autor të dyshuar 31-vjeçarin.

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço bëri një përmbledhje të gjithë ngjarjes së rëndë, duke analizuar hap pas hapi dinamikën e këtij krimi. Ai u shpreh se kamerat e sigurisë ndihmuan më tej hetimin dhe se puna e shpejtë e policisë zbardhi ngjarjen.

“Autori ka bërë një plan të mirëmenduar, ka përhapur një alibi që nuk shkonte në banesën e viktimës, por ka rezultuar se shkonte. Fillimisht për këtë ngjarje policia ka pasur dyshime sepse ka pasur disa vatra zjarri dhe nga kamerat e sigurisë është parë që i vetmi person që ka lëvizur ishte ky. Nuk mendoj se ka pasur një bashkëpunëtor. Por shoh që persona që shfaqin çrregullime të forta emocionale vijnë edhe si pasojë e përdorimit të narkotikëve dhe shfaqin agresivitet të shtuar dhe duhet të marrim masa për këtë lloj kontingjenti”, u shpreh ai.

Më tej e cilësoi këtë vrasje si “Një krim pasioni në terrenin e çrregullimeve psikologjike, por jo të papërgjegjshmërisë dhe këto janë efekti që vijnë nga droga, tha më tej Karamuço. Në bazë të hetimeve të deritanishme mundësi që të ketë persona të tjerë të përfshirë nuk janë të larta sipas ekspertit të Kriminalistikës. Një tjetër ngjarje e rëndë që përfshiu vendin disa ditë më herë, ishte edhe vrasja në Fier e 55-vjeçarit, ngjarje për të cilën janë arrestuar tre persona, vajza 26-vjeçare, gruaja e viktimës, por edhe një 55-vjeçar. Ky i fundit i dyshuar për lidhje me 26-vjeçaren dhe bashkëpunëtor në këtë krim të rëndë.

Megjithatë në dëshmitë e fundit të dhënë nënë e bijë kanë mohuar krimin në gjykatë.

“Nga ngjarja ka pasur një bashkëpunëtor për shkak të dinamikës së krimit. Dhe më pas janë parë edhe tabulatet për të zbuluar gjithçka, dhe përpjekjet për të ndryshuar dëshmitë janë të kota, pasi mund të them që është ngjarje e zbardhur”, tha ai, duke shtuar “këto krime flasin për marrëdhënie të kompleksuara në familje, por që nuk justifikojnë vrasjen”.