Çfarë është ‘Unaza e Zjarrit’, që konsiderohet zona sizmike më me rrezik në botë?

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë ka goditur gadishullin e Kamçatkës në Lindjen e Largët të Rusisë, duke ngritur alarm për cunami në pothuajse të gjitha vendet që ndodhen përgjatë brigjeve të Oqeanit Paqësor.

Lëkundjet janë pasuar edhe nga një shpërthim vullkanik, duke e rikthyer në qendër të vëmendjes një nga zonat më aktive dhe më të rrezikshme gjeologjike të planetit – të ashtuquajturën ‘Unaza e Zjarrit’.

‘Unaza e Zjarrit’ është një hark i gjatë prej rreth 40 mijë kilometrash që rrethon Oqeanin Paqësor dhe përfshin dhjetëra vende dhe rajone ishullore, përfshirë Japoninë, Kilin, SHBA-të, Indonezinë dhe Zelandën e Re.

Kjo zonë karakterizohet nga aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik për shkak të përplasjes së pllakave tektonike që takohen përgjatë saj.

90% e tërmeteve globale ndodhin përgjatë ‘Unazës së Zjarrit’.

81% e tërmeteve më të mëdha në histori kanë origjinën pikërisht aty.

Më shumë se 75% e vullkaneve aktive dhe joaktive të planetit ndodhen në këtë zonë.

Pse është kjo zonë kaq aktive?

Lëvizja e vazhdueshme e pllakave tektonike copa gjigante të kores së Tokës që ‘notojnë’ mbi mantelin krijon tension të madh nën sipërfaqe. Kur një pllakë oqeanike zhytet poshtë një pllake kontinentale, krijohen zona të quajtura ‘subduksioni’, ku:

Lirohet energji në formë tërmetesh.

Magma ngrihet në sipërfaqe duke shkaktuar shpërthime vullkanike.

Presioni shkakton shpërthime të dhunshme dhe ndonjëherë cunami.

Vendet më të rrezikuara në botë

Ndër zonat më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve janë:

Tërmetet me magnitudë mbi 8 ballë në këto rajone nuk janë të rralla dhe shpesh shoqërohen me dëme të mëdha dhe pasoja tragjike për popullsinë.

Megjithëse shkenca ka avancuar ndjeshëm, parashikimi i tërmeteve mbetet një sfidë. Profesor Hongfeng Yang thekson se, ‘duhen mijëra vjet për të grumbulluar energji dhe vetëm disa sekonda për ta liruar atë.’

Pllakat tektonike lëvizin disa centimetra në vit, por gjatë një tërmeti, kjo lëvizje mund të arrijë deri në disa metra për sekonda, duke shkaktuar pasoja të jashtëzakonshme.

Aktiviteti vullkanik në ‘Unazën e Zjarrit’ lidhet ngushtë me ngritjen e magmës dhe presionin që krijohet nën sipërfaqe.

Kjo sjell shpërthime hiri dhe lavash, por edhe formimin e shtresave të reja të kores së Tokës – një proces i vazhdueshëm që ndryshon hartën gjeologjike të botës.

‘Unaza e Zjarrit’ nuk është thjesht një term shkencor. Ajo është një kujtesë e përhershme e forcës së natyrës, e cila brenda pak sekondash mund të ndryshojë fatin e miliona njerëzve në të gjithë globin.