Dënohet ish-kreu i bashkisë së Himarës, ja sa vite burg do të vuajë Jorgo Goro! I hiqet edhe e drejta për të mbajtur funksione publike

GJKKO ka dënuar me 2 vite burg, ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të mbajtur funksione publike.

Ndërkohë, gjykata ka dënuar edhe Vasillaq Strakoshën me 1 vit e 6 muaj burg. Pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 1 vit heqje lirie, i pezulluar për një periudhë 2-vjeçare shërbimi prove. Edhe për Strakoshën, gjykata vendosi ndalim për 5 vite nga funksionet publike.

Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-drejtorin e tokës dhe menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, i cili është gjithashtu i pandehur në këtë çështje.

Dosja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 m² tokë, duke ia kaluar atë Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.