‘Shqipëria me rrjete sekrete në Britani!’ Karamuço zbulon shërbimet inteligjente dhe rolin e CIA-s në vend

Në një emision televiziv kushtuar temës së inteligjencës dhe funksionimit të agjenturave në Shqipëri, eksperti i sigurisë Ervin Karamuço ka bërë disa zbulime të pazakonta për publikun shqiptar.

Karamuço, i cili ka mbajtur dikur çertifikatën e sigurisë si pjesë e institucioneve të mbrojtjes, tregoi se Shqipëria ka pasur rrjete informative aktive në disa shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, ku sipas tij ishte ngritur edhe një task-forcë kundër krimit të organizuar.

“Kemi pasur një rrjet shumë aktiv në Britani. Ishte ngritur për krimin e organizuar. Jemi aktivë në disa shtete, edhe pse nuk mund të jap detaje. Neve na është kërkuar ndihmë dhe kemi shkuar”, tha ai.

Ai ndaloi edhe te veprimtaria e brendshme e shërbimeve të inteligjencës, duke përmendur dy degët kryesore të tyre: zbulimi dhe kundërzbulimi. Sipas tij, këto degë fokusohen në ekstremizëm, trafiqe, drogë, dezinformim dhe kanë ndikim edhe në interesat ekonomike të vendit.

Për CIA-n, Karamuço theksoi se ka pasur gjithmonë një stacion në Shqipëri, me një strukturë të qartë operacionale dhe me agjentë që koordinohen nga persona të caktuar. “Kemi pasur një grua, tani kemi një burrë në krye të stacionit. CIA ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për Shqipërinë, sidomos në luftën e Kosovës”, përfundoi ai.