I buzëqeshur dhe me pranga në duar, momenti kur 31-vjeçari Ilirjan Selmani që dyshohet se vrau të dashurën 21 vite më të madhe del nga Gjykata (Video)

Ky është momenti kur 31-vjeçari Ilirjan Selmani, i cili akuzohet si autori i vrasjes së Kozeta Teços, krim i ndodhur mëngjesin e 28 Korrik, ka dalë nga Gjykata e Korçës.

I riu shihet teksa del nga ambientet e godinës së gjyqësorit me pranga në duar dhe i buzëqeshur.

Teksa futet në furgonin e policisë, 31-vjeçari shikon nga kamerat e mediave jashtë Gjykatës, ndërsa nuk bën asnjë koment.

Togat e zeza caktuan ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa sipas avokatit të tij Ilirjan Selmani nuk e ka pranuar krimin.

“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 31.07.2025 ora 12.00 seanca me objekt: “Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit I.S i dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Avokati: Fillimisht dua te shprehim një ndjese për viktimën, pavarësisht nëse është apo jo i mbrojtur nga une autori i veprës penale, por si qytetar i Pogradecit i shpreh familjes ngushëllimet e mia për humbjen e saj.

I mbrojturi nga unë ne asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë e kryerjes se veprës penale, as ne polici as para gjykatës dhe as gjithë procedurës te pyetjeve te bere ndaj tij. Ka mbajtur një qëndrim qe ka te beje me personalitetin e tij qe është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryej një krim kaq të rëndë.

Edhe faktin e bashkëjetesës me viktimën ai nuk e ka pranuar. Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës pra si një njohje shoqërore apo çdo lloj njohje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në kodin e familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi më rastet e bashkëjetesës.

Prokuroria ka paraqitur një sërë provash për të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojtur prej meje si autor i kësaj vepre penale nuk ka. Kjo është bindja jonë deri në këto momente.

Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën duke qënë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të. Nuk mund të prononcohem për provat e garantuara deri në këto momente, ai është një sekret hetimor që i përket prokurorisë, gjykatës dhe mbrojtjes.