Dua Lipa është rikthyer në shtëpi. Festivali i saj i përvitshëm ka startuar mbrëmjen e së premte, në një atmosferë elektrizuese. Por në fakt, festa ka nisur disa ditë më herët. Në mbrëmjen e së mërkurës, artistja me famë botërore ka qenë e pranishme në një festë në Prishtinë, ku ka bërë bashkë elitën e vendit.
Ylli i muzikës është parë në një nga ambientet më të njohura të kryeqytetit, në shoqërinë e të fejuarit të saj, aktorit britanik Callum Turner. Çifti ka zgjedhur të kalojë një mbrëmje të zjarrtë në kryeqytet, të rrethuar nga miq të afërt.
E veshur me stil dhe me buzëqeshjen karakteristike, Dua Lipa ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me prezencën e saj, ndërsa shijonte çdo moment në krahët e partnerit të saj. Prania e saj në Prishtinë nuk ka kaluar pa u vënë re nga fansat dhe adhuruesit e shumtë, të cilët janë ndjerë të emocionuar që ylli me origjinë shqiptare ka zgjedhur pikërisht këtë qytet për të kaluar disa çaste personale.
Por ndryshe nga vizitat e saj të mëparshme, këtë herë, Dua ka preferuar që të kalojë kohë me njerëz më pranë vetes, duke shmangur mbledhjet e mëdha me VIP-a. Nëse në vitet e shkuara, këngëtarja zgjidhte të bënte bashkë emrat më të famshëm nga muzika, arti dhe politika, këtë herë festa ka qenë më private. Me pak miq për rreth, u vu re mungesave e VIP-ave tanë në krah të këngëtares. Nuk dihet nëse kjo është një zgjedhje e saj personale, apo koha ka qenë e pamjaftueshme për të organizuar një event si ajo e viteve të shkuara. Me një agjendë të publikuar paraprakisht, Dua ka bërë me dije se si do të jenë në Prishtinë ditët e saj për sa kohë zgjat edhe festivali Sunny Hill.
Ndërkohë, përpara se të ngjitej në skenë dhe të performonte, Dua mori edhe zyrtarisht nënshqetësinë kosovare. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë pamjet e veçanta nga takimi që u zhvillua në Presidencë me yllin botëror të muzikës, Dua Lipa. Në një atmosferë solemne dhe plot emocion, Lipa u prit nga Presidentja Osmani në një ceremoni zyrtare, ku iu dorëzua shtetësia e Kosovës si një akt mirënjohjeje për rolin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës.
Pamjet e publikuara tregojnë momente prekëse nga pritja, përfshirë edhe një interpretim të veçantë nga kori i vajzave që e mirëpritën artisten me këngën e saj të famshme “Levitating”, ndërsa ajo po hynte në ambientet e Presidencës. Emocionet ishin të dukshme në fytyrën e Lipës, e cila u shpreh më herët se ky ishte një nga momentet më të veçanta në jetën e saj.