Kishin humbur në malet e Pukës, gjenden dy turistët

Dy turistët holandezë, të cilët kishin humbur rrugën në malet e Qerretit të Pukës dhe nuk po arrinin të orientoheshin, u gjetën nga policia pas një operacioni kërkimi disa orësh.

Një prej tyre kishte pësuar dëmtime të lehta pas një rënieje gjatë ecjes në terren.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, turistët u ndihmuan dhe tani ndodhen jashtë rrezikut.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë iu shkuan në ndihmë 2 turisteve nga Hollanda, të cilat kishin humbur rrugën dhe nuk po orientoheshin dot.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë janë nisur në drejtim të malit të Qerretit, për të lokalizuar dhe ndihmuar turistet që kishin humbur orientimin.

Pas disa orësh kërkime nga punonjësit e Policisë, është bërë e mundur gjetja e turisteve hollandeze, ku shtetasja K. D. kishte pësuar disa dëmtime të lehta, pasi ishte rrëzuar gjatë ecjes në mal.

Turistet kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë. 🤝

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë. 🏞️