Miliona euro dëm buxhetit të shtetit/ Nis në Apel gjykimi për çështjen “Bankers”, në listë 10 të dyshuar

Ditën e sotme, ka nisur në Gjykatën e Apelit procesi ndaj 10 të dyshuarve, në lidhje me çështjen e “Bankers”. Personat akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash.

Seanca e parë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit.

Ndërkohë jashtë ambienteve të gjykatës, janë parë edhe përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Kinës në Tiranë.

Hetimet

Hetimi, i nisur në dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive, zbuloi se kompania ka deklaruar humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme të kompanisë dhe banesa private, ku u sekuestruan dokumente dhe sende të lidhura me veprimtarinë kriminale.

Janë ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj administratorit aktual Hongping Xiao, ish-administratorit Leonidha Çobo dhe disa drejtuesve të tjerë të kompanisë, ndërsa 5 persona të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”, thote prokuroria.