Pas integrimit të linjave të transportit publik ndërqytetas në fillim të këtij viti, Google Maps ka përmirësuar ndjeshëm informacionin për transportin urban në Shqipëri, duke shtuar të dhëna në kohë reale për oraret, ndalesat dhe pozicionin e mjeteve.
Tashmë përdoruesit në Tiranë dhe qytete të tjera mund të shohin në aplikacion kur mbërrin autobusi, nëse ka vonesa, sa persona ndodhen brenda mjetit (nëse është i mbingarkuar apo jo), si dhe orarin e saktë të autobusit pasardhës, së bashku me vendndodhjen aktuale të mjetit që po presin.
Kjo përbën një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me situatën e mëparshme, ku të dhënat për linjat urbane ishin të pasakta, shpesh konfuze edhe për vendasit. Para datës 8 janar 2025, transporti publik në Shqipëri nuk ishte fare i integruar në Google Maps. Aplikacioni nuk shfaqte as linjat e autobusëve, as ndalesat, as oraret, duke e bërë orientimin pothuajse të pamundur për përdoruesit, veçanërisht për turistët e huaj që mbështeten tek platformat dixhitale për lëvizje urbane. Mungesa e këtij informacioni thellonte kaosin në një sistem transporti që edhe vetë vendasit e kishin të vështirë ta kuptonin.
Me përditësimin më të fundit të Google Maps, përdoruesit kanë më në fund akses në informacion të saktë dhe në kohë reale për transportin publik në Shqipëri, duke e bërë orientimin shumë më të lehtë. Tani, për të shkuar nga qendra e Tiranës në Komunën e Parisit, Google Maps tregon qartë linjën A1 (Selitë), kohëzgjatjen (12 minuta) dhe faktin që autobusi është në kohë, pak i mbushur dhe me ndalesat e listuara saktësisht.
Po ashtu, për itinerarin Ali Demi – Aeroporti i Tiranës, aplikacioni sugjeron kombinimin më të shpejtë: linjën 5A ( Ish Uzina e Autotraktorëve), ndalesat përkatëse dhe lidhjen direkte me autobusin e linjës aeroportit që niset me orar të saktë. Google Maps me të dhëna në kohë reale është një zhvillim i vonuar, por i mirëpritur jo vetëm nga vendasit por edhe nga vizitorët e huaj.
Më herët, për turistët, mungesa e të dhënave në Google Maps u shkaktonte vështirësi serioze në orientim, duke i detyruar të shmangnin krejtësisht transportin public. Leticia, një turiste nga Italia, ndau në TikTok përvojën e saj pozitive në Shqipëri, por theksoi se “transporti publik ishte sfida më e madhe”, për shkak të mungesës së informacionit të qartë dhe të besueshëm në aplikacion. Me përmirësimet e fundit, raste si ky pritet të jenë gjithnjë e më të rralla.
Ky është një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës dixhitale të transportit dhe një ndihmë reale për të gjithë përdoruesit, vendas dhe të huaj. Me rritjen e Shqipërisë si një destinacion turistik në vitet e fundit, nevoja për të përmirësuar qasjen dhe transparencën në transportin publik është bërë e domosdoshme.
Për shkak të mungesës së një linje hekurudhore funksionale, autobusët mbeten mjeti i vetëm real i transportit publik ndërurban, ndaj përfshirja e tyre në Google Maps ishte një hap i rëndësishëm por edhe i vonuar drejt lehtësimit të lëvizjes për vizitorët dhe përmirësimit të përvojës urbane./ Monitor