Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 21 vatra të evidentuara, 3 prej tyre aktive. Vijojnë flakët në Vlorë, Fier dhe Berat

Situata me zjarret në vend vazhdon të jetë serioze, me 21 vatra të evidentuara, prej të cilave 3 janë ende aktive.

Forcat e Mbrojtjes dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht për shuarjen dhe izolimin e zjarreve në qarqet Vlorë, Berat dhe Fier.

Mbështetja ajrore dhe përpjekjet e koordinuara të ekipeve në terren janë në punë për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mjedisit.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Qarku Vlorë – Malet mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq. Zjarri vijon të përhapet mbi zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët.

Në terren për izolimin e plotë janë angazhuar: 34 efektivë me 10 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe Dropullit, 30 forca vullnetare, forca bashkiake, të pyjores si dhe 30 efektivë të FA me mbështetje ajrore po nga Forcat e Armatosura.

Qarku Berat – Zona e ish-Uzinës Mekanike Poliçan, ku në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA. Forcat po punojnë për izolimin e plotë të zjarrit me kujdes të shtuar për shkak të zonës.

Qarku Fier – Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër:

Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, me përhapje për shkak të erës. Forcat në terren po punojnë për izolimin e tij.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 41 automjete zjarrfikëse dhe 314 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 30 efektivë, 3 automjet zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri.

Sipas parashikimeve nga IGJEO, sot nuk priten reshje.

Sa u përket zjarreve, sot pritet rrezik i lartë në qarkun Fier, rrezik i ulët në Kukës, Dibër, Korçë dhe rrezik i moderuar në qarqet e tjera.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët.