Avionët ushtarakë turq shkelin hapësirën ajrore greke, Athina: Po na provokojnë

Shkelje të reja nga avion turk në juglindje të Egjeut. Mëngjesin e së mërkurës, forcat ajrore greke raportuan incidente të reja shkeljesh në hapësirën ajrore mbi juglindjen e Egjeut.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, një avion patrullimi detar i Forcave të Armatosura Turke, i tipit ATR-72, hyri në FIR-in e Athinës pa paraqitur plan fluturimi, duke kryer dy shkelje të rregullave të qarkullimit ajror dhe tre shkelje të hapësirës ajrore kombëtare greke.

Sipas njoftimit, avioni turk u pikas nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe u identifikua e u kap nga avionët gjuajtës grekë, në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe praktikën standarde të interceptimit që zbatohet prej vitesh në incidentet e këtij lloji.

Autoritetet greke duke e konsideruar provokim, thonë se ky është një nga rastet e shumta të përsëritura gjatë muajve të fundit, ku avionë turq – kryesisht të tipit patrullues ose vëzhgues – kanë hyrë në hapësirën ajrore greke mbi ishujt e Egjeut.

Shkelje të tilla janë raportuar nga autoritetet greke pothuajse çdo javë, duke u bërë pjesë e një tensioni të vazhdueshëm dypalësh midis Greqisë dhe Turqisë në lidhje me kufijtë ajrorë dhe detarë. /noa.al