Pas zjarreve shkatërruese, nis groposja e kontrolluar e bagëtive të djegura

Pas shuarjes së disa vatrave të zjarrit në vend, Ministria e Bujqësisë ka angazhuar në terren ekipet e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë për të evidentuar dëmet e shkaktuara në bujqësi dhe blegtori.

Në të gjitha zonat e prekura, ekspertët po kryejnë inventarizimin e humbjeve tek bagëtitë, të mbjellat dhe pemëtaria e qytetarëve.

Në qarkun e Elbasanit, drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan, Spiro Hunçi, së bashku me stafin veterinar të Zyrës Vendore të Veterinarisë Gramsh, nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit veterinar Fatmir Ozuni, ndodhen në Njësinë Administrative Skënderbegas për të evidentuar dhe inventarizuar kafshët e ngordhura, të djegura apo të asfiksuara si pasojë e zjarrit.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=755356000589648&id=100083457639962&ref=embed_post

Në këtë proces po marrin pjesë edhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, strukturat vendore të emergjencave dhe banorë të zonës. Aktualisht po kryhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i trupave të kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare dhe mbrojtjes së mjedisit.

Sipas ministrisë, kjo ndërhyrje e koordinuar ka për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe garantimin e sigurisë shëndetësore dhe mjedisore në zonat e prekura.