Banorët në Delvinë prej disa orësh po përballen me pamje apokaliptike teksa flakët afrohen minutë pas minute drejt banesave të tyre. Temperaturat dhe era kanë favorizuar flakët të cilat janë përhapur me shpejtësi. Të pyetur nga ZËRI, banorët shprehen se gjithçka është shkatërruar dhe se shohin vetëm tym dhe flakë.
“Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua. Këtu nuk shihet më asgjë, vetëm tym dhe kaos”, u shpreh një banor.
Sipas tij të gjithë banorët janë larguar ndërsa pas kanë lënë mundin e gjithë jetës së tyre nën ‘pushtetin” e flakëve. Situata është alarmante pasi flakët po afrohen pranë puseve të naftës dhe një shpërthim i tyre do të ishtë i rëndë dhe me pasoja shkatërruese.
“Askush nuk e mendonte që zjarri do përhapej kaq shpejt. Era dhe temperaturat e larta e sollën këtë në qytet”, tha një tjetër banor për Zërin. Flakët i janë afruar edhe spitalit të qytetit. Mësohet se është urdhëruar largimi i bombolave të oksigjenit që të mos shkaktojnë shpërthime.