“Spitali onkologjik, 33 ditë pa brakiterapi, ky është alarm”- Gazetari Osman Stafa: Kanceri nuk pret tenderat e ministrisë, as paaftësinë kriminale

Spitali Onkologjik në Tiranë është pa aparaturën e brakiterapisë prej më shumë se një muaji, duke lënë pa trajtim dhjetëra paciente që vuajnë nga kanceri gjinekologjik.

Situata është denoncuar publikisht edhe nga gazetari Osman Stafa, i cili e ka cilësuar këtë ndërprerje si një “akt kriminal” dhe ka kërkuar mbajtje përgjegjësie nga institucionet shëndetësore.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Stafa ngre shqetësimin se pajisja e brakiterapisë në Spitalin Onkologjik ka dalë jashtë funksionit për shkak të moskryerjes së mirëmbajtjes teknike, duke lënë pacientët pa një trajtim të domosdoshëm në luftën kundër kancerit.

“Prej 33 ditësh me radhë, pajisja e brakiterapisë në Spitalin Onkologjik është jashtë funksionit. Shkak është mosbërja e procesit të mirëmbajtjes,” shkruan ai.

Gazetari shton se për shkak të kësaj situate, pacientet që vuajnë nga kanceri gjinekologjik nuk po marrin trajtimin e nevojshëm, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shpresën për shërim.

“Kanceri nuk pret tenderat e ministrisë, nuk njeh burokracitë dhe as paaftësinë kriminale të atyre që e kanë kthyer shëndetësinë në çiflig personal,” shprehet ai me tone të ashpra.Postimi i gazetarit Osman Stafa:

SPITALI ONKOLOGJIK, 33 DITË PA BRAKITERAPI! KY ËSHTË ALARM!

Prej 33 ditësh me radhë, pajisja e Brakiterapisë në Spitalin Onkologjik është jashtë funksionit. Shkak është mosbërja e procesit të mirëmbajtjes.

Pse nuk iu bë, dhe pse nuk i bëhet mirëmbajtja e kësaj pajisjeje?

Kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e kësaj pajisjeje?

Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes teknike, nuk jepet shërbim për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik.

Kanceri nuk pret tenderat e ministrisë, nuk njeh burokracitë dhe as paaftësinë kriminale të atyre që e kanë kthyer shëndetësinë në çiflig personal.

Në çdo vend normal, ministri i Shëndetësisë do kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë.

Kjo situatë s’është normale.

Është kriminale.

A kështu ecën karvani përpara?

Turp!