Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka reaguar pas raportimeve se ishte përfshirë në një përleshje gjatë një dasme.
Në një intervistë, ai i mohoi kategorikisht këto lajme, duke sqaruar se bëhej fjalë vetëm për një debat të vogël.
“U bë bujë e madhe, u rrah Shpati, u rrahën dasmorët… Por në të vërtetë nuk ka pasur asnjë rrahje. Unë jam nisur pak me vonesë sepse kishte kolonë. Dasmori më tha ‘Shpat, je vonuar, por këndo’, dhe unë iu përgjigja se do të këndoj më shumë për ta kompensuar vonesën,” tha ai.
Kasapi shpjegoi se situata u tensionua vetëm në fund të dasmës, gjatë momentit të pagesës. “Në fund thanë ‘ti s’ke kënduar, nuk do ta marrësh pagesën’. Unë pak u agravova, ata gjithashtu, dhe u bë një debat i vogël. Por asnjë nuk më ka prekur dhe askush nuk më ka ngacmuar,” theksoi këngëtari.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që, sipas tij, kanë shpifur për këtë ngjarje. “Shpifësin e këtij lajmi do ta gjej,” u shpreh Kasapi.