Konflikt në rrugë, 25-vjeçari plagos me sende të forta një person

Një konflikt i çastit ka përfunduar me dhunë në lagjen nr. 14, Durrës, ku një 25-vjeçar ka goditur rëndë me sende të forta një shtetas tjetër.

Policia njofton se, pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën dhe arritën të identifikojnë, kapin dhe shoqërojnë autorin e dyshuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë Kristo Domi, 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin Gëzim Muka.

Ky i fundit ka marrë dëmtime në kokë dhe, pas trajtimit fillestar në Spitalin Rajonal Durrës, është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. /noa.al