Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka reaguar publikisht pas raportimeve në media që e përfshinin atë në një përleshje gjatë një dasme ku po performonte.
Në një intervistë sqaruese, Kasapi hodhi poshtë kategorikisht lajmet, duke i cilësuar si të pavërteta dhe shpifje. Ai theksoi se situata është keqinterpretuar dhe se nuk ka ndodhur asnjë incident fizik.
“U bë bujë e madhe – u rrah Shpati, u rrahën dasmorët… Por në të vërtetë nuk ka pasur asnjë rrahje,” tha këngëtari.
Ai shpjegoi se kishte mbërritur me pak vonesë në dasmë për shkak të trafikut, gjë që solli një keqkuptim me organizatorët. “Dasmori më tha ‘Shpat, je vonuar, por këndo’, dhe unë iu përgjigja se do të këndoj më shumë për ta kompensuar vonesën,” sqaroi Kasapi.
Sipas tij, tensioni lindi vetëm në fund të mbrëmjes, gjatë diskutimit për pagesën. “Në fund më thanë: ‘Ti s’ke kënduar, nuk do ta marrësh pagesën’. Unë u nervozova pak, ata gjithashtu, dhe u bë një debat i vogël. Por asnjë nuk më ka prekur dhe askush nuk më ka ngacmuar,” theksoi ai.
Shpat Kasapi e mbylli deklaratën duke kërkuar që mediat të mos përhapin lajme të pavërteta, pasi dëmtojnë imazhin e tij si artist dhe njeri.