Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion për udhëtarët nga e gjithë bota. Ky vend i pasur me histori, kulturë dhe bukuri natyrore të pabesueshme, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, duke ofruar eksperienca të paharrueshme për ata që e vizitojnë.
Një grup turistësh nga Zelanda e Re janë një shembull i vizitorëve që kanë shijuar mikpritjen e veçantë të shqiptarëve, përshtypjet e të cilëve kanë marrë vëmendjen e revistës britanike “Express“, për të cilën shprehen se janë mjaft të impresionuar nga bukuria dhe mikpritja që kanë hasur gjatë qëndrimit të tyre.
Grupi filloi udhëtimin e tij në Sarandë, në Rivierën Shqiptare, dhe siç thonë ata, gjithçka ishte “shumë e mirë.”
Një tjetër pikë e rëndësishme për grupin ishte vizita në Syrin e Kaltër, një nga atraksionet natyrore më të njohura të Shqipërisë. Uji kristal i burimit natyror, që arrin të shihet deri në thellësi prej 50 metrash, për ta ka qenë një eksperiencë që ata nuk do ta harrojnë kurrë.
Pas kësaj, udhëtimi i tyre i çoi në Gjirokastër, një qytet historik dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku ata shijuan pasuritë kulturore të vendit dhe kaluan momente të paharrueshme.
Një nga gjërat që turistët kanë vënë re gjatë qëndrimit të tyre është mikpritja e jashtëzakonshme e shqiptarëve, duke shtuar se kanë pasur mundësi të shijojnë ushqimin tradicional shqiptar, që është bërë një nga arsyet kryesore që ata rekomandojnë Shqipërinë për të tjerët.
Pavarësisht qëndrimit të shkurtër, grupi i turistëve ka lënë Shqipërinë me përshtypje të shkëlqyera dhe me dëshirën për t’u kthyer sërish.