Ndërron jetë në moshën 94-vjeçare aktori Zija Grapshi, “gjyshi i përrallave”
Është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare aktori i njohur shqiptar Zija Grapshi, i cili u bë i dashur për publikun, veçanërisht për fëmijët, si “gjyshi i përrallave”.
I lindur në Gjirokastër, ai përfundoi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952. Karrierën artistike e nisi herët, në vitin 1949, në grupin filodramatik pranë Radio Tiranës. Më pas interpretoi role të ndryshme në komedi, në Teatrin e Estradës së Shtetit dhe në Teatrin Popullor.
Grapshi ka dhënë edhe kontributin e tij në arsim, duke qenë për disa vite pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.Më së shumti, ai u identifikua me Teatrin e Kukullave të Tiranës, ku ka interpretuar në mbi 160 shfaqje, duke luajtur kryesisht role kryesore. Kujtohet për rolet si Shvejku (1957), Ivani i Madh (1959) dhe sidomos Baba Viti (1987), figurë me të cilën fitoi dashurinë e brezave të fëmijëve.
Me zërin e tij karakteristik, aftësitë imituese dhe ndjeshmërinë në skenë, Zija Grapshi u shqua si një aktor i natyrshëm dhe i vërtetë, që dinte të ndërtonte marrëdhënie të ngrohta me partnerët dhe publikun.
Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe mbështetja për artin e kukullave e bënë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar.
Zija Grapshi – aktor dhe dublues i njohur shqiptar
Zija Grapshi ishte një aktor i shquar i filmit dhe teatrit shqiptar. Ai ka qenë pjesë e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, ku dha një kontribut të rëndësishëm në skenën teatrale.
Përveç aktrimit në film dhe teatër, Grapshi u dallua edhe si dublues, duke i dhënë zërin e tij karakteristik shumë personazheve në filmat e vjetër të animuar shqiptar, si dhe në produksione të ndryshme radiofonike.
Ai mbetet një figurë e respektuar në artin shqiptar, si për rolet e tij në skenë e ekran, ashtu edhe për punën e tij të veçantë në fushën e dublimit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.