Spanjë/ Çmontohet grupi shqiptar i kanabisit, 4 të arrestuar dhe 7700 bimë të sekuestruara

Operacioni i koduar “Përroi i Bufit” çmontohet një organizatë kriminale e përfshirë në kultivimin e kanabisit në male të larta në Teruel, Spanjë.

Dronët e Rojës Civile zbuluan të paktën nëntë serra me plantacione marihuane në zonë malore me terren shkëmbor dhe të thepisur. Në operacion u sekuestruan 7700 bimë marihuane, ndërsa katër persona shqiptarë u arrestuan në flagrancë.

Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentin kur agjentët e armatosur i vendosin të dyshuarit përtokë dhe u vendosin duart pas kokës, ndërsa në aksion morën pjesë edhe qentë antidrogë.

Gjykata e Shkallës së Parë dhe Hetimit Numër Tre në Teruel ka urdhëruar paraburgim për katër të arrestuarit, të dyshuar për kultivim, prodhim dhe trafikim të paligjshëm të drogës. Autoritetet besojnë se personat e përfshirë mund të jenë pjesë e një organizate kriminale më të gjerë.