Gjykata e Korçës nisi pasditen e sotme masën e sigurisë ndaj 14-vjeçarit E.G., që akuzohet se vrau me thikë pas sherrit për një shikim nxënësin bashkëmoshatar Erald Xhejo, pasditen e 14 gushtit në lokalin e fshatit Pirg, në Maliq.
Gjithashtu për masë do të dalin babai, xhaxhai i të dyshuarit dhe 5 persona të tjerë, një 34-vjeçar dhe 4 të mitur, që dyshohen për përfshirje, si përkrahja apo ndihma ndaj tij.
Seanca mbahet me kushte të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Gjithashtu ka pasur edhe prezencë të madhe të familjarëve apo të afërmve të të arrestuarve.
Tetë persona janë arrestuar nga policia e Maliqit lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e së enjtes, ku u vra me thikë 14-vjeçari Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. Në pranga është vënë autori 14-vjeçar, babai E. G dhe xhaxhai i tij R. G., 4 të mitur si dhe 34-vjeçari Flori Çela.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht. Ka qenë një goditje e vetme në zemër që i ka shkaktuar vdekjen 14-vjeçarit. Pas kryerjes së krimit, autori, i cili mbeti gjithashtu i dëmtuar, ka tentuar që të largohet me një automjet me 34-vjeçarin, që ishte i pranishëm kur ndodhi sherri.
Babai dhe xhaxhai i të miturit akuzohen për veprime që pengojnë të vërtetën pasi fshehën thikën me të cilën u krye krimi. Ndaj autorit rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt.
Katër të miturit e arrestuar kanë gjithashtu të pranishëm në konflikt dhe akuzohen se kanë tentuar që të pengojnë zbulimin e së vërtetës. I teti mes të dyshuarve, 34-vjeçari Flori Çela që tentoi të largohej me autorin, akuzohet për moskallëzim krimi.
14-vjeçari Erald Xhejo ndërroi jetë në spital, ndërsa ndihmë mjekësore mori edhe autori që mori dëmtime por jo me mjet prerës. Të mkiturit ishin takuar në lokalin e fshatit Pirg për t’u sqaruar, por autori ka shkuar i armatosur me thikë.
Ky i fundit bënte edhe të fortin nëpër rrjete sociale. Në disa foto të publikuara nga mediat shihet teksa i riu pozon me armë zjarri, ndërsa shkruante mesazhe të tipit: “shfaqem kur s’ta pret mendja”.
Njoftimi i plotë i Policisë Korë pas 8 arrestimeve:
“Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.
Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:
-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-Babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;
-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
-Një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-Shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-Shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-Shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”.