P*nik për shoferët në Siçili, ura fillon të shembet teksa automjetet kalonin mbi të (Video)

Rrezik të madh kanë përjetuar shoferët që kalonin nga ura San Xhuliano, pranë Randazzo-s në Katania të Siçilisë, kur pjesë të ndërtimit nisën të shkëputeshin dhe të rrëzoheshin.

Pamjet e publikuara tregojnë copëza betoni dhe dheu duke rënë në boshllëk, ndërsa mbi urë vazhdonin të lëviznin automjete.

Falë reagimit të menjëhershëm të drejtuesve të mjeteve, u shmang më e keqja, pasi qarkullimi u ndërpre menjëherë dhe nuk pati të lënduar. Ura u mbyll dhe tashmë kanë nisur punimet e rikonstruksionit.

Videoja që qarkullon nxjerr në pah gjendjen e dobët të infrastrukturës, e cila ishte cilësuar problematike prej kohësh dhe ishte dëmtuar më tej nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.

Shembja shkaktoi ndërprerje të aksesit mes qytetit të Randazzo-s dhe disa bashkive të provincës së Messinës, duke rritur rrezikun e izolimit për banorët. Randazzo, me mbi 8.000 banorë, përbën qendrën urbane më të afërt ku plotësohen nevojat bazë të komunitetit.

Ndërprerja e lidhjes vështirëson aksesin në shërbimet shëndetësore emergjente, në arsimin e mesëm, në transportin ndërqytetas dhe hekurudhor, si dhe në furnizimin me medikamente, produkte konsumi dhe shërbime të tjera të domosdoshme.