“Është vrarë, mos e kërkoni!”. Është ky mesazhi anonim që alarmoi familjen e Miklovan Danajt, një eksponent i spikatur i narkotrafikut, i zhdukur në Spanjë që prej datës 11 maj.
Personi i fundit që ka takuar 30-vjeçarin ka qenë bashkëshortja, të cilët së bashku kishin shkuar në një qendër shëndetësore për t’i bërë vaksinën vajzës së tyre 8 muajshe.
Pas këtij momenti, për 30-vjeçarin e lindur në Gur të Zi, Shkodër nuk ka asnjë shenjë jete dhe fati i tij mbetet mister. Miklovani, i njohur ndryshe me nofkën “Keli” rezulton një emër i rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë, si drejtuesi i një prej grupeve më të fuqishme në këtë aktivitet kriminal.
Përfshirja e të riut shqiptar në narkotrafikun mund të këtë qenë shkaku i zhdukjes së tij nga rivalët, pasi ka dyshime se fillimisht është marrë peng, më pas e kanë vrarë dhe trupin e tij e kanë hedhur në det.
Familjarët kanë bërë kallëzim në policinë spanjolle, por deri në këto momente nuk ka asnjë reagim zyrtar. Miklovan Danaj ka jetuar për një kohë të gjatë me familjen në Pisa të Italisë, më pas u zhvendos në Marbella të Spanjës, një nga nyjet kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë.
Familja kërkon ndihmë edhe nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, me shpresën se Miklovani është gjallë. I vetmi sinjal në këto tre muaj ka qenë sms në telefonin e familjarëve të tij nga një person i panjohur që ka dhënë lajmin e kobshëm. Para se të emigronte në Spanjë, Miklovan Danaj ka qenë i dënuar me burg edhe ne Itali për një periudhë 3 mujore.