Aksident në Kosovë, një i vdekur dhe pesë të lënduar

Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident rrugor në Klinë të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Spitali i Pejës, i cili konfirmon se të lënduarit po marrin trajtimin e duhur mjekësor

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në fshatin Dollc të Klinës, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një person pa shenja jete. Gjithashtu, deri më tani kemi pranuar 5 persona të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ngjarja e rëndë po ashtu u konfirmua dhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai shtoi se janë përplasur një autoveturë dhe një autobus, mëngjesin e kësaj të enjteje.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.