“Të dua, por më premto se nuk do të më vrasësh”, postimi i Gazmentit drejtuar pasionit që ia mori jetën

Gazment Gropa, 38 vjeç, humbi jetën pas një aksidenti tragjik me motor më 19 gusht në aksin rrugor Fier–Patos. I plagosur rëndë në vendngjarje, ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve duke humbur jetën një ditë pas aksidentit. 38-vjeçari ishte një i ri i apasionuar pas motorëve dhe shpejtësisë, pasione të cilat i sollën dhe këtë fund të trishtë.

Më prekëse është një detaj i postuar para 4 vitesh nga vetë i ndjeri. Në shkurt të vitit 2021, Gazmenti kishte ndarë në profilin e tij në rrjetet sociale një foto, një imazh ku një motoçiklist, i gjunjëzuar përballë motorit, i “fliste” atij.

Në atë imazh lexohet: “I love you, but look into my eyes and promise me, you will never kill me), (Të dua, por më shiko në sy dhe më premto se nuk do të më vrasësh kurrë.)“

Një mesazh simbolik, që sot, pas tragjedisë, tingëllon si një paralajmërim i heshtur. Nuk është foto personale e Gazmentit, por zgjedhja për ta vendosur atë si foto kopertine flet shumë për lidhjen e tij të veçantë me motorin, pasionin që i mori jetën.

I njohur për pasionin ndaj motorëve, ai kishte ndarë në mënyrë të heshtur frikën dhe dashurinë për këtë mënyrë jetese, një dashuri që, për fat të keq, përfundoi me fatalitet. Ndërsa familjarët dhe miqtë po përballen me dhimbjen, postimi i Gazit mbetet një kujtim i zymtë por domethënës se ndonjëherë, edhe një frazë e thjeshtë mund të pasqyrojë thellësisht ndjesitë që nuk i themi me zë.