Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën dy motrave, Elvisa dhe Rozina Dhimaku 22 dhe 20 vjeç.
Mësohet se mbrëmjen e djeshme, ato kishin marrë lejë tek prindërit për të pirë një kafe në Sarandë, duke marrë me vete edhe shoqen e tyre, Antonela Zhupa, e cila mbeti e plagosur. Madje ato donin të merrnin edhe vëllain e tyre të vogël 10 vjeç, i cili është i sëmurë, por që babai i kishte thënë se “është i lodhur”.
Babai dhe mamaja e tyre i la vajzat të shkonin ndërsa gjyshja u tha që mos ikni se, “ kam parë një ëndërr të keqe”.
Autori i aksidentit, 23-vjeçari Kevi Norra, banor i Gjirokastrës, është arrestuar nga policia. Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas testit të alkoolit, rezultoi se i riu ishte në gjendje të dehur.