“The New York Times” artikull vendit tonë: Shqipëria e shfrytëzon momentin e saj në diell

Prestigjiozja amerikane, The New York Times, i ka kushtuar një artikull vendit tonë dhe pikave të saj turistike, me titullin “Shqipëria e shfrytëzon momentin e saj me diell”.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, duke ndarë pamjet e shpërndara nga vetë NYT, shkruan se kjo media e ka cilësuar Shqipërinë si një destinacion turistik që vjen në rritje.

Në këtë artikull, është ndalur tek Parku Kombëtar i Butrintit, plazhet e Ksamilit, Dhërmiu, Borshi, Saranda, Berati apo dhe Gjirokastra.

“Prestigjiozja amerikane “The New York Times”, e cilëson Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje
Artikulli veçon Parkun Kombëtar të Butrintit, plazhet e Ksamilit dhe qytetet bregdetare si Dhërmiu, Borshi e Saranda si destinacionet me të bukura për pushuesit
Po ashtu, “The New York Times” ndalet edhe në qytete historike si Berati me trashëgiminë e tij mijëravjeçare dhe Gjirokastra si qyteti i gurtë, i mbrojtur nga UNESCO”, shkruan Rama në rrjete sociale.

https://static.xx.fbcdn.net/rsrc.php/v4/yw/r/wguUF-i5kBB.png

Çfarë shkruan NYT për Shqipërinë?

“Në jug të vendit, pranë ishullit grek të Korfuzit, ndodhet qyteti antik i Butrintit, një trashëgimi e pasur historike me amfiteatër grek, baptister bizantin dhe akuedukt romak, i rrethuar nga një park kombëtar ku jetojnë shqiponja dhe dhelpra. Vetëm pak minuta më tutje, në Ksamil, turistët shijojnë plazhin modern, jet-ski dhe muzikën elektronike buzë detit, duke e krahasuar shpesh me Maldive përmes postimeve në rrjetet sociale.”

Sipas The New York Times, ky kontrast i bën vizitorët të zbulojnë një vend ku mund të nisësh ditën mes rrënojave mijëravjeçare dhe ta mbyllësh me festa buzë detit. Vetëm vitin e kaluar, 11.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke tejkaluar shifrën 10 milionë të vitit 2022.

Përtej bregdetit, vizitorët eksplorojnë edhe malet e veriut, liqenet dhe Parkun Kombëtar të Vjosës, të shpallur nga NYT si një nga “52 vendet për t’u vizituar” në vitin 2023.

Qytete si Berati dhe Gjirokastra, të mbrojtura nga UNESCO, ofrojnë një udhëtim në historinë e pasur të vendit, nga kishat bizantine dhe xhamitë e hershme, te arkitektura osmane dhe bunkeret e epokës së komunizmit. Berati shquhet për rrugicat e qeta, kulmet me tjegulla të kuqe dhe muzeun ikonografik të Onufrit, ndërsa Gjirokastra, e quajtur dikur nga Ismail Kadare “një krijesë prehistorike që ngjitet malit”, ofron një atmosferë të rrallë me shtëpi guri, kështjellë mesjetare dhe tunele të Luftës së Ftohtë.

Një tjetër element që lë mbresa është kuzhina tradicionale: domate të freskëta, perime në qeramikë, byrek, rakia dhe mikpritja tipike shqiptare që kombinojnë shije të Lindjes dhe Perëndimit.

Shqipëria, dikur e izoluar nga regjimi komunist, sot po përjeton një boom turistik, falë çmimeve të ulëta dhe pasurisë natyrore e kulturore që ofron. Siç e përshkruan NYT, vendi mbetet “i panjohur, por i mbushur me surpriza”, një urë mes Ballkanit dhe Mesdheut që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës.