Sot, më 26 Gusht shënohet 115 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare që kreu bamirësi për të varfrit gjatë gjithë jetës së saj. Gruaja me mendje dhe zemër të madhe që bëri për vete një botë të tërë, u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve kudo.
Nënë Tereza, me emrin e vërtetë Gonxhe Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe Çmimin “Nobel” për Paqe në vitin 1979.
Më 19 tetor 2003, ajo u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Shenjtorja fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindu.
Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë. Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende.