Rrëshqitje dheu në rrugën e pelegrinazhit, raportohet për disa viktima

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën pas një rrëshqitjeje dheu që ndodhi të martën pranë shenjtërores së Vaishno Devi, në rajonin verior të Jammut, në Indi, si pasojë e shirave të dendur që kanë përfshirë zonën.

Ndërkohë, përmbytjet kanë detyruar autoritetet të bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje të tjera intensive dhe stuhi me erëra të forta në rajonin malor të Ladakh dhe në territorin federal të Jammu dhe Kashmir.

Kryeministri Omar Abdullah, deklaroi se autoritetet po përballen me vështirësi për të rikthyer shërbimet e telekomunikacionit, pasi komunikimi është “gati i pamundur”.

Rrëshqitja e dherave pranë rrugës së pelegrinazhit ishte një tjetër tragjedi në një seri fatkeqësish të shkaktuara nga moti ekstrem në Himalaje. Javën e kaluar, në Kishtëar, në Kashmirin Indian, humbën jetën 60 persona dhe rreth 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Në qytetin e Jammut, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore, pasi vetëm të martën janë regjistruar 368 mm shi, një sasi jashtëzakonisht e lartë.

Ndërkohë, edhe Pakistani fqinj, i cili përballet me shirat musonike të javëve të fundit, ka shpallur rrezik shumë të lartë për përmbytje në provincën lindore të Punjab, për shkak të reshjeve të dendura dhe vendimit të Indisë për të lëshuar ujë nga dy diga.

Sipas autoriteteve pakistaneze, mbi 150,000 persona janë zhvendosur, përfshirë rreth 35,000 banorë që u larguan vullnetarisht pas paralajmërimeve për përmbytje që nga 14 gushti.