Punime në hekurudhën Durrës–Tiranë, ja cilat segmente rrugore do të bllokohen sot dhe nesër

Policia Bashkiake e Durrësit informoi sot se në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore.

Në një postim në rrjetet sociale, Policia Bashkiake Durrës njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve të njësisë administrative Sukth, Manëz, Ishëm , të cilët përdorin segmentin rrugor Sukth- Kullë dhe anasjelltas Kullë- Sukth, në kilometrazhin 10+418 se sot dhe nesër nga ora 00:00 deri në 04:00, në kuadër të rikonstruksionit të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë Terminali Publik i Transportit (TPT) si dhe ndërtimit të linjës së re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (ANR), do të kryhen punime që do të ndikojnë në qarkullimin rrugor në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth.

Gjatë këtij orari, ky kalim do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore nga punimet e kryera nga kompania.

Policia Bashkiake Durrës i bën apel qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment rrugor gjatë orareve të sipërpërmendura dhe të ndjekin rrugë alternative.

Shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë në terren për të mbikëqyrur dhe kontrolluar trafikun.