Ndeshja mes përfaqësueseve U21 të Francës dhe Luksemburgut, e planifikuar të luhej sot, në Lorient, për kualifikueset e Europianit 2027, është shtyrë për në datën 3 tetor.
Vendimi u mor pas një incidenti të ndodhur me autobusin e delegacionit luksemburgas, ngjarje që bëri të pamundur zhvillimin e takimit.
Sipas njoftimeve zyrtare, pesë futbollistë të Luksemburgut U-21 përfunduan në spital, por fatmirësisht u lanë të gjithë të lirë pasi gjendja e tyre u vlerësua e mirë.
Autobusi, që po transportonte skuadrën nga stadiumi Stade du Moustoir drejt hotelit në Ploermel, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një problem shëndetësor i shoferit.
Shoferi, 53 vjeç, me nëntë vite shërbim, nuk kishte asnjë precedent aksidenti dhe ishte i pajisur me dokumentacion të rregullt mjekësor. Kompania e transportit theksoi se ai kishte kaluar me sukses testet e alkoolit dhe drogës, duke përjashtuar këto si faktorë të mundshëm.
Federatat e të dy vendeve, në marrëveshje me UEFA-n, vendosën të shtyjnë ndeshjen për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e futbollistëve. Pavarësisht frikës fillestare, lajmi i mirë është se askush nga ekipi i Luksemburgut nuk pësoi lëndime serioze.