‘Çmendet’ moti/ Përmbytjet bejnë kërdinë në këtë vend, uji “pushton” rrugët

Vera iku, por hyrja e vjeshtës ka sjellë edhe një stuhi moti të keq mbi Evropë dhe më gjerë.

Kësaj situate të kushteve atmosferike të pazakonta nuk i ka shpëtuar as Suedia, që po vuan përmbytje nga shirat masivë që ranë ditët e fundit.

Shumë rrugë u përmbytën dhe trenat u bllokuan në verilindje të Suedisë, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, tha agjencia e transportit të martën.

Trafiku “në rrugë dhe hekurudha është prekur nga shirat e rrëmbyeshëm në Västernorrland”, tha agjencia në një deklaratë, duke u bërë thirrje shoferëve të shmangin katër komuna, Kramfors, Sollefteå, Örnsköldsvik dhe Harnosand. Shërbimet hekurudhore midis dy komunave të fundit janë ndërprerë gjithashtu që nga mëngjesi.

Shërbimet e shpëtimit renditën disa incidente në faqen e tyre të internetit, përfshirë daljen nga shinat e një treni mallrash. Nuk u raportuan viktima.

“Ishte sikur rrugët po prisheshin dhe po shndërroheshin në gropa”, tha një zyrtar i shërbimit, Leif Wikström, për radion publike SR.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha banori vendas Ove Lindberg. “Niveli i liqenit është rritur me gjysmë metri që nga mbrëmë”.

Deri tani nuk ka raportime për viktima, por dëmet janë të shumta dhe situata cilësohet kritike.