Banorët e prekur nga tërmeti, njoftojnë protestë para Bashkisë së Durrësit: Duam strehim në banesat e premtuara!

Banorët e prekur nga tërmeti i vitit 2019 në Durrës, të cilët ende nuk janë futur në hyrjet e reja, do të organizojnë një protestë paqësore më 16 shtator 2025 përpara bashkisë së qytetit.

Ata shprehen se, ndonëse punimet kanë përfunduar prej një viti, çelësat e apartamenteve nuk u janë dorëzuar. Prej gjashtë vitesh ata janë lënë në pritje, ndërkohë që prej dy vitesh nuk marrin më as bonusin e qirasë.

“Janë 500 hyrje që janë ndërtuar, goglat janë hedhur që prej një viti, por ende nuk kemi asnjë datë se kur do futemi në shtëpitë tona. Nuk marrim as bonus qiraje, prej dy vitesh jemi lënë në mëshirë të fatit”, shprehet një banore për JOQ Albania.

Protesta do të mbahet më 16 shtator, nga ora 09:00 deri në 12:00, para bashkisë së Durrësit.

Banorët i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur nga tërmeti, por edhe atyre që mbështesin kauzën e tyre, t’i bashkohen kësaj proteste për të kërkuar zgjidhje.