Irani pranon kufizim të programit të tij bërthamor, ministri Arraghci: Duam marrëveshje realiste, edhe me mbikëqyrje të rreptë

Irani është i gatshëm të pranojë kontroll ndërkombëtar dhe kufizime në programin e tij bërthamor, nëse në këmbim hiqen sanksionet ndërkombëtare, kjo u bë e ditur nga Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përmes një artikulli të botuar në të përditshmen britanike The Guardian.

Sipas tij, Teherani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje “realiste dhe të qëndrueshme”, që përfshin mbikëqyrje të rreptë dhe kufizime për pasurimin e uraniumit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Araghchi u bëri thirrje vendeve të E3 (Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe) që të shfrytëzojnë këtë “dritare mundësie”, duke paralajmëruar se në të kundërtën, pasojat mund të jenë katastrofike për rajonin dhe më gjerë.

Ultimatumi ndërkombëtar dhe frika nga përshkallëzimi

Në fund të muajit gusht, vendet e grupit E3 i kërkuan OKB-së të reaktivizojë mekanizmin për rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit, siç parashikohet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Irani ka afat deri në fund të shtatorit për të rifilluar bisedimet dhe për të shmangur rikthimin e sanksioneve.

Javën e kaluar, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u takua me Araghchin në Doha, ku diskutuan për qasjen e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në objektet bërthamore të Iranit dhe rezervat e uraniumit të pasuruar – sipas një zyrtari të BE-së.

Historia e marrëveshjes bërthamore dhe tërheqja e SHBA

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 u nënshkrua nga Irani me SHBA-në, Kinën, Rusinë dhe vendet e E3, por SHBA u tërhoq nga ajo në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, i cili riktheu sanksionet amerikane ndaj Iranit.

Pas kësaj, Irani nisi të shkelë disa nga detyrimet e marrëveshjes, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me nivelin dhe sasinë e pasurimit të uraniumit, duke shkaktuar shqetësime për një ringjallje të tensioneve bërthamore në rajon