Tronditëse/ Vrau në tren me thikë 23-vjeçaren ukrainase, autori: Qeveria më ka implantuar diçka në tru, Trump nuk fal

Ka dalë në publik një audio e Decarlos Brown, të dyshuarit për vrasjen me thikë të 23-vjeçares ukrainase Iryna Zarutska në një tren në Charlotte. Audioja u regjistrua pak ditë pas arrestimit të tij dhe tregon Brown duke folur me motrën e tij, Tracey Brown.

Në bisedë, Brown pranon se i ka lënduar dorën gjatë sulmit dhe thotë se nuk e njihte Zarutskën. Ai shton se nuk kishte folur kurrë me të dhe pyet vetë: “Pse dikush do të therë dikë pa arsye?”

Brown pretendon gjithashtu se qeveria i kishte implantuar “materiale” në tru që po kontrollonin veprimet e tij, dhe insistoi se hetuesit duhet të shqyrtojnë këto “materiale” për të kuptuar pse ndodhi sulmi.

Motra e tij e pyeti pse e kishte sulmuar Zarutskën, duke e quajtur ngjarjen të pakuptimtë dhe të dhimbshme, veçanërisht për shkak të historisë së saj. Brown i tha se “materialet” ishin përgjegjëse për veprimet e tij dhe se hetimi duhet të zbulojë motivin.

Ndërkohë për ngjarjen ka reaguar edhe presidenti Donald Trump, i cili kërkon dënimin me vdekje për autorin e masakrës. Zarutska ishte refugjate nga Ukraina, e cila kishte ikur nga lufta në vitin 2022 për të gjetur siguri në Shtetet e Bashkuara. Ajo u sulmua në mënyrë të rastësishme ndërsa ishte ende e veshur me uniformën e picerisë ku punonte, dhe sulmi u kap nga kamerat e trenit.

Autoritetet federale kanë ngritur akuza ndaj Brown për një vepër që shkakton vdekje në një sistem transporti masiv, ndërsa gjykata e shtetit e akuzon për vrasje në shkallë të parë.

Familja e Zarutskës tha se ajo ishte një artiste e pasionuar, e diplomuar në art dhe restaurim në Kiev, dhe u kujtua për kreativitetin, dashurinë për kafshët dhe dëshirën për të mësuar.