U qëllua me plumb në qafë, ndërron jetë aleati i Trump, Charlie Kirk

Ka ndërruar jetë në spital Charles James Kirk, ku edhe pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, sërish nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagës së marrë.

Charles James Kirk, i njohur si Charlie, 31 vjeç, aktivist politik i djathtë amerikan dhe mik i Donald Trump, u qëllua nga një snajper në qafë gjatë një eventi publik në Utah Valley University.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë me dije vetë Trump përmes një postimi në Truth Social, ku shkroi: “Charlie Kirk, i madh dhe i jashtëzakonshëm, nuk jeton më. Askush nuk e kuptoi dhe nuk kishte zemrën e rinisë amerikane më mirë se ai. Charlie u desh dhe u admirua nga të gjithë, veçanërisht nga unë, dhe tani nuk është më mes nesh. Unë dhe Melania shprehim ngushëllimet tona për bashkëshorten e tij Erika dhe familjen. Charlie, të duam!”,

Aktivisti u qëllua me një plumb të vetëm, ndërsa një i dyshuar është arrestuar. Në vendngjarje ndodhet dhe FBI-ja, teksa ngjarja ndodhi rreth orës 12:25 me orën lokale.

Kirk ishte një nga figurat më të njohura të politikës konservatore në SHBA dhe, së bashku me Bill Montgomery, themelues i organizatës konservatore Turning Point USA, e krijuar në 2012 për të promovuar ide konservatore në universitete dhe kampuset amerikane. Ai kishte 5,2 milionë ndjekës në X dhe 7,3 milionë në TikTok.

Kirk ishte mbështetës i zjarrtë i presidentit Donald Trump. Një person i dyshuar u ndalua, por rezultoi të ishte një gabim: sipas zëdhënëses së universitetit, Ellen Treanor, ai ishte një student. Sulmuesi i vërtetë është ende në arrati: një burrë i moshuar që qëlloi Kirk nga Losee Center, një ndërtesë rreth 180 metra larg, rreth njëzet minuta pas fillimit të fjalës së tij.