“A u qëllova nga një AR-15?”/ Postimi i frikshëm i Charlie Kirk bëhet realitet 11 vite më pas

Një postim i vjetër në Twitter nga aktivisti konservator Charlie Kirk po qarkullon sërish në rrjet pas vrasjes së tij me armë zjarri gjatë një aktiviteti publik në Utah.

Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje mbrëmjen e së mërkurës (10 shtator), teksa mbante një debat në Universitetin e Luginës së Utah, në kuadër të organizatës së tij politike Turning Point USA. Ngjarja ndodhi vetëm 20 minuta pasi ai kishte nisur fjalimin, përpara një audience prej afro 3,000 personash.

Në video amatore të publikuara menjëherë pas ngjarjes, Kirk shihet teksa rrëzohet në karrige, ndërsa turma shpërthen në panik. Dëshmitarë në vendngjarje treguan për çaste frike dhe konfuzioni total.

“Të gjithë u shtrimë në tokë. Qëndruam ashtu për rreth 30 deri në 45 sekonda, pastaj njerëzit nisën të vraponin. Askush nuk dinte çfarë po ndodhte”, u shpreh Emma Pitts, gazetare në Deseret News.

Pas vrasjes, është rishfaqur në rrjet një postim i vitit 2014 nga vetë Kirk, ku ai shkruante me ironi:

“Mos vallë më qëlloi një AR-15? Kështu më duket”, shkroi ai më 23 qershor 2014, në një postim, i cili po rikthehet në viral në X, pas atentatit të 10 shtatorit.

Edhe pse autoritetet nuk kanë konfirmuar ende llojin e armës së përdorur, spekulimet flasin për një AR-15, një pushkë gjysmë-automatike shumë e përhapur në SHBA, shpesh e përdorur në masakrat me armë zjarri. Rreth 25 milionë të tilla mendohet se ndodhen në duart e civilëve amerikanë.