Edi Rama prezanton sot qeverinë e re, mesazhi i Kryeministrit para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare Socialiste

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pak orë para mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë Kombëtare Socialiste që mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Rama publikoi një foto nga zyra e tij në godinën qeveritare dhe shkroi shkurtimisht: “MIRËMËNGJES 😊 Shihemi në 11.00🫶”

DETAJET NGA MBLEDHJA

400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare Socialiste do të mblidhen në Pallatin e Kongreseve në orën 10:0, ku kryesocialisti Edi Rama do të shpalosë me detaje programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Sikurse do të kujdeset të ulë çdo eufori të mundshme nga fitorja e mandatit të katërt më 11 maj. Ky do të jetë edhe momenti shumë pritur në shpalljen e skuadrës së tij me të cilën do të qeverisë e me objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri në 2030. Megjithëse dy javët e fundit gjerësisht ka hamendësime emrash për kandidatë potencialë për poste ministrore, Edi Rama ia ka dalë të ruajë ekskluzivitetin e kabinetit të tij të katërt.

I pari socialistëve ka zhvilluar takime dhe biseda intensive telefonike me ata, të cilët ai beson se do të jenë bashkëpunëtorët më të ngushtë në Këshillin e Ministrave, për të postin e numrit dy të qeverisë dhe se kujt do t’ia besojë drejtimin e Parlamentit dhe grupit parlamentar. Një ditë më pas, të premten, deputetët socialistë bashkë me ata të opozitës do t’i drejtohen Parlamentit për t’u betuar. Megjithëse me moshën më të madhe, doktor Sali Berisha nuk do ta drejtojë seancën konstituive, pas një refuzimi. Një tjetër mjek do ulet në krye Parlamentit për pak orë në të drejtuarin seancën dhe betimit.

Ai është mjeku Vasil Lajo, një prurje e re në grupit parlamentar socialist. 67-vjeçari e pranoi këtë rol të përkohshëm, pasi dy deputetët më të moshuar se ai, Sali Berisha dhe Tritan Shehu të Partisë Demokratike refuzuan ta bëjnë këtë. Në Kuvend kanë nisur përgatitjet për seancën inauguruese të ditës së premte. 140 deputetët e legjislaturës së 11 do të hyjnë në Parlament paradite, teksa i mirëpresin rojet ceremoniale dhe himni kombëtar. Deputeti Llajo do të çelë seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve.

Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite. Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar. Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili gjithsesi do të jetë mësuar një ditë më parë, kur kryesocialisti Edi Rama ta shpallë në mbledhjen e partisë. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një.

Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit dhe në këtë moment, Llajo do t’i lirojë vendin drejtuesit të vërtetë të Parlamentit, i cili do të mbajë fjalën zyrtare. Në të gjitha këto pjesë të seancës plenare të së premtes nuk lejohet debat me opozitën. Në një seancë tjetër, që parashikohet të jetë të hënën, Kryeministri Edi Rama do t’i parashtrojë Kuvendit qeverinë e tij dhe programin qeverisës. Vetëm pasi parlamenti të votëbesojë kabinetin, ministrat e qeverisë “Rama 4” do të shkojnë për dekretim dhe betim tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali theksoi dje se Kuvendi është gati për të mirëpritur 140 deputetët e Legjislaturës XI. Spiropali ndau një video me disa detaje nga Kuvendi që pritet të nisë më 12 shtator. “Një kapitull i ri veprimtarisë parlamentare do të nisë me Legjislaturën e 11-të të Kuvendit, ku 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse, thuhet në video. Prioritet kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.