Polonia ka dislokuar rreth 40 mijë trupa përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe Rusinë përpara stërvitjes së përbashkët ushtarake “Zapad-2025”, raporton televizioni polak TVP.
Ky reagim i fortë vjen pasi gati 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake gjatë natës. Disa prej tyre u rrëzuan nga avionë luftarakë polakë dhe holandezë.
Autoritetet në Varshavë kishin mbyllur të gjitha pikat kufitare me Bjellorusinë për kohëzgjatjen e stërvitjeve, por pas sulmit me dronë, qeveria njoftoi se kufiri do të mbetet i mbyllur “deri në njoftim të mëtejshëm”.
Sipas burimeve ushtarake, Moska dhe Minsku pritet të testojnë skenarë ofensivë, përfshirë një sulm në Grykën Suwalki – korridori strategjik që lidh Poloninë me Lituaninë.
Zyrtarë të lartë në Varshavë dhe Kiev paralajmërojnë se “Zapad-2025” mund të shërbejë si mbulesë për plane reale agresioni.