Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka gjithmonë elementë surprizë, sidimos sa i përket emrave të propozuar për ministra nga kryeministri Edi Rama. Por, përpos surprizës për qytetarët e thjeshtë, shpesh këto surpriza janë edhe për vetë personat që propozohen.
Kështu, po sjellim disa momente pikante nga reagimet e deputetëve të qeverisë Rama, të cilët u propozuan për pozicione ministrore, ose për poste qeveritare ose ngelën pa post.
Gjatë kohës kur kryeministri Rama propozon kryetar kuvendi Niko Peleshin, ky i fundit qëndron stoik dhe falënderues, ndërsa zëvendëskryetarja e propozuar e Kuvendit, Klodiana Spahiu, shihet më shumë se e lumtur, teksa lajmi i ka ardhur në mënyrë të papritur.
Një reagim kryekëput i ndryshëm ishte ai i Elisa Spiropalit, e cila u shfaq e mërzitur teksa Rama prezantoi Peleshin në postin e kryeparlamentarit. Spiropalit “i erdhën ngjyrat” pasi Rama i dha postin e Ministres së Jashtme, ndërsa nga ana tjetër Igli Hasani u shfaq i mërziutur pasi mbeti pa post ministri.
Balluku u shfaq serioze, pasi Rama i la të njëjtat detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërsa kolegët në krah të saj prisnin në ankth për emrat e radhës.
Albana Koçiu, po ashtu, shfaqet mosbesuese për postin e ri që i ka besuar Rama, atë të Ministres së Brendshme, ndërsa Ervin Hoxha shihet duke u përtypur pasi Koçiu “e la” pa ministri.
Një tjetër i çuditur është Petrit Malaj, pasi Rama e mbajti si Ministër të Financave. Blendi Gonxhja u shfaq i lehtësuar që mori një post ministri. Në pamje duket se pak rëndësi ka për të se Rama e kaloi nga një ministri si ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit, për ta vendosur te Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Këtë ministri tashmë do e drejtojë Delina Ibrahimaj, e cila shihet duke marrë frymë thellë, pasi zbulon se “e kapi” një post si ministre.
Një ndër personat që shihet më shumë se të tjerët i habitur është Besfort Lamallari, kur kupton se Rama e ka bërë Ministër Drejtësie. Lamallari shihet duke rregulluar kollaren dhe në siklet për detyrë e re që i ka besuar numri një i qeverisë, ndërsa Ulsi Manja duket i mërzitur që do të mbajë vetëm detyrën e kryetarit të Komisionitt ë Ligjeve