Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është dënuar me 27 vjet e tre muaj burgim, pasi u shpall fajtor për komplot për grusht shteti ushtarak.
Gjykata e Lartë vendosi që Bolsonaro ishte fajtor për udhëheqjen e një komploti që synonte ta mbante në pushtet pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022 ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva.
Katër nga gjyqtarët e shpallën fajtor, ndërsa njëri votoi për ta liruar nga akuzat. Avokatët e Bolsonaros e kanë konsideruar dënimin “absurdisht të tepruar”.
Gjykata e Lartë gjithashtu e ndaloi atë të kandidonte për poste publike deri në vitin 2033.
Bolsonaro, i cili u vu në arrest shtëpiak pasi u konsiderua si rrezik për t’u arratisur, nuk mori pjesë personalisht në këtë fazë të fundit të gjyqit.
Por në të kaluarën ai ka thënë se kjo ishte hartuar për ta penguar atë të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026 – edhe pse atij i ishte ndaluar tashmë të ushtronte detyrë publike për akuza të veçanta. Ai e ka quajtur gjithashtu një “gjueti shtrigash”.
Fjalët e tij janë përsëritur më parë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili vendosi tarifa prej 50% për mallrat braziliane, duke i cilësuar ato si hakmarrje për ndjekjen penale të Bolsonaros.
Duke reaguar ndaj vendimit për fajësi, Trump tha se e gjeti atë “shumë të habitshme” dhe e krahasoi atë me përvojën e tij: “Kjo është shumë e ngjashme me atë që u përpoqën të bënin me mua. Por ata nuk ia dolën.”