Nis Kuvendi i ri, Vasil Llajo hap seancën e parë: Këtu fillon kapitulli i 4 viteve të ardhshme ku do shkruhet historia e vendit tonë

Me një fjalim mbi përgjegjësinë historike të legjislaturës së re, deputeti socialist Vasil Llajo ka hapur seancën e parë të Kuvendit të ri, duke dhënë mesazhe uniteti dhe përgjegjësie për përfaqësuesit e popullit.

“Sot, sipas Kushtetutës, më është besuar detyra për të hapur këtë seancë. Ky është një moment solemn, sepse këtu fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë,” u shpreh Llajo në nisje të seancës.

Ai vuri në dukje faktin se më shumë se gjysma e deputetëve janë për herë të parë në këtë Kuvend, një element që e konsideroi si simbol të rinovimit politik dhe pritshmërive të reja nga qytetarët.

“Qytetarët nuk duan fjalë të kota, por rezultate që ndihen në shërbimet e tyre të përditshme”, tha ai.

Llajo pranoi se në sallën e Kuvendit do të ketë gjithmonë ndarje politike dhe ideologjike, por nënvizoi se misioni më i madh i kësaj legjislature është përmbushja e aspiratës europiane të Shqipërisë.

“Jemi më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Ky është një mision historik i kësaj legjislature, që të tregojë se Shqipëria është gati të ulet në tryezën e Bashkimit Europian. Ky nuk është mision i një partie, por një mision kombëtar, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë,” tha ai.