Një incident i armatosur ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Pejës, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Ai ka konfirmuar se i plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:50 në rrugën “Papa Klementi”.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një person ishte plagosur nga të shtënat.
I dyshuari për këtë rast është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga autoritetet.